Mucunski: Nuk ka evakuime të reja nga vendet e Gjirit, të gjithë qytetarët e regjistruar janë kthyer
- Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski deklaroi se shteti me sukses i ka evakuuar të gjithë qytetarët e vet që kanë kërkuar largimin nga shtetet e Gjirit, duke theksuar se procesi ka përfunduar dhe se evakuime të reja nuk planifikohen.
Shkup, 20 prill 2026 (MIA) - Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski deklaroi se shteti me sukses i ka evakuuar të gjithë qytetarët e vet që kanë kërkuar largimin nga shtetet e Gjirit, duke theksuar se procesi ka përfunduar dhe se evakuime të reja nuk planifikohen.
"Kemi organizuar fluturime-çarter dhe i kemi evakuuar të gjithë qytetarët tanë të cilët deri në këtë moment kanë kërkuar evakuim. Aeroplani i fundit nga Dubai është planifikuar më vonë, por pas atij procesi nuk kemi më qëllim të organizojmë evakuime të reja", tha Mucunski.
Ai theksoi se të gjithë qytetarët të cilët kanë vendosur të qëndrojnë në rajon, pavarësisht sfidave ekzistuese politike dhe të sigurisë, e kanë bërë këtë me rrezikun e tyre.
Mucunski theksoi se detyrimi i shtetit ishte t'u mundësonte largim të sigurt të gjithë atyre që dëshironin të ktheheshin, duke shtuar se përveç shtetasve vendas, janë evakuuar edhe qytetarë nga vende të tjera të rajonit, si dhe nga vende anëtare të Bashkimit Evropian.

Në lidhje me shpenzimet, ministri informoi se për evakuimin është realizuar një prokurim publik me një shumë maksimale deri në një milion euro, por shuma përfundimtare do të përcaktohet më vonë.
"Do të verifikojmë me shërbimet dhe do të dorëzojmë shumën e saktë të mjeteve të shpenzuara. Kjo varej nga numri i fluturimeve të realizuara", deklaroi Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën e përbashkët për shtyp me homologun e tij nga Kazakistani, Arman Shakaliev.
Ai theksoi se shteti ka vendosur t'i mbulojë plotësisht shpenzimet e evakuimit, ndryshe nga disa vende të tjera që kanë kërkuar refundim nga qytetarët e tyre, dhe theksoi se në momente të tilla krize, shteti duhet të qëndrojë pranë qytetarëve të vet dhe të marrë përgjegjësinë ndaj tyre. qa/
Foto: MIA